petak, 27. lipnja 2008.

Vihet gurrthemeli i Paraleles së shtrirë të vajzave – Tetovë




Vihet gurrthemeli i Paraleles së shtrirë të vajzave – Tetovë
Më datë 24 qershor, Bashkësisë Islame të Maqedonisë iu shtua edhe një objekt i ri arsimor. Gjegjësisht, në këtë ditë, në Tetovë u vu gurrthemeli i Paraleles së Shtrirë të Vajzave, e cila do të funksionojë nën drejtorinë e Medreses Isa Beu.
Në këtë manifestim ishin prezent: Kryetari i BIM Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, Sekretari Gjeneral i BIM H. Afrim ef. Tahiri, Atasheu për kulturë i Ambasadës Turke, Drejtori i Medreses Isa Beu Ibrahim ef. Idrizi, myftinj, imamë, mysafirë dhe dashamirë të arsimit dhe të Islamit.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Drejtori Ibrahim Idrizi foli për veprimtarinë e Medreses Isa Beu dhe për planet e zgjerimit, që kjo medrese i ka parashikuar për të ardhmen. Më pas, Myftiu i Tetovës, H. Alifikri ef. Esati, i falemderoi të gjithë të pranishmit dhe dashamirët për nderimin që i bëhet kësaj paraleleje. Myfti Alifikriu gjithashtu falemderoi donatorin që ka ndihmuar në ngritjen e këtij tempulli të dijës.

Edhe donatori Oskan Gogsal, falemderoi BIM dhe Myftininë e Tetovës që i kanë mundësuar të japë donacion në një objekt të dijës, siç është ky i Paraleles së shtrirë të vajzave. “Jam krenar që jam sot në mesin tuaj dhe që më lejuat ta realizoj ëndrrën time të kamotshme për të investuar në një tempull të dijës Islame”, tha mes tjerash Oskan Gogsal, donatori nga Turqia.

Ndërsa në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, theksoi se “Dora që përkund djepin, edukon Kombin” dhe se me vënien e këtij gurrthemeli, ne po investojmë në të ardhmen më të arsimuar të kombit dhe të fesë sonë. Ai edhe një herë falemderoi donatorin dhe të gjithë pjesëmarrësit në emrin e Tij personal dhe në emrin e BIM. Në vijim do ta ndiqni fjalimin e plotë të Reis Ul Ulemasë:
Qoftë i Bekuar ky Themel
Të respektuar vëllezër e motra, mysafirë të nderuarMë lejoni që të gjithë juve tu përshëndes në emrin e Bashkësisë Islame të Maqedonisë dhe në emrin Tim personal me përshëndetjen më të përkryer Islame – Eselamu Alejkum...
Sot jemi mbledhur këtu për të vendosur gurrë themelin e medrezes Isa Beu – Paraleles së Shtrirë të vajzave. Me këtë rast ne nuk vendosim themelin vetëm të një shkolle, por njëherë ky është gurrë themel për ardhmërinë tonë, për një bazament më të shëndoshë të fesë tonë të përkryer Islame.
Më lejoni të kthehem disa vite pas. Pikërisht në vitin 1984, ku u vunë gurrë themeli i Medreses Isa Beu në Shkup. Atëherë mbretëronte komunizmi, i cili në thelb përpiqej ta shkul besimin ndaj Zotit nga i gjithë njerëzimi. Por edhe në ato kohëra të mundimshme dhe shumë të rrezikshme, kishte njerëz që dashurinë ndaj Allahut të Plotfuqishëm nuk e ndërruan me asgjë. Madje punuan dhe investuan në shërbim të fesë, për ta mbajtur gjallë besimin dhe traditat gjyshërore.
Disa vite më vonë, Rijaseti i Bashkësisë Islame të Maqedonisë në vitin 2004 arriti që në Tetovë të bën hapjen e Paraleles së Shtrirë të Vajzave. Këshilli Arsimor i “Medreses Isa Beu”, në qershor të vitit 2004 shpalli konkursin për regjistrimin e nxënëseve të rregullta në vitin e parë. Fillimisht u paraqitën 22 vajza. Numri i tyre rritej nga viti në vit. Ndërsa sot ky numër është shumëfishuar. Kjo është edhe arsyeja kryesore Është një kënaqësi e veçantë kur ëndrra e një shoqërie bëhet realitet. Këtë vit do të mbledhim frutat e një pune të stërmadhe që na u deshën vite të tëra sakrificë e mund për ta arritur këtë sukses.
Falë edhe donatorit, gjegjësisht VAKIFIT i cili tregoi gatishmëri ta jetëson këtë hap tonin, a njëherit të investon në ardhërinë e fëmijëve tanë dhe gjeneratave të reja.
E shfrytëzoj rastin që në emrin e Bashkësisë Islame dhe në emrin Tim personal, z. OSKAN GOGSAL ta falemderoj nga shpirti e nga zemra dhe e lusim Allahun Fuqiplotë që ta shpërblen më gjithë të mirat nga thesari i Tij i pashtershëm.E kaluara jonë, gjithmonë do ta ndjek ardhmërinë tonë. Veprat e mira që i bëjmë në këtë jetë, do të na shpërblehen në jetën e amshueshme. Prandaj vëllezër (motra), është koha që planet tonë të kahmotshme t`i jetësojmë për të mirën e gjeneratave të reja.
Me ligjin e ri për arsim të mesëm, çdo prind është i detyruar ta dërgon fëmijën e vet në shkollë. Hapja e kësaj paraleleje do t’i mundëson edhe femrës myslimane një shkollë adekuate, me ç’rast, askush më nuk do të ketë guximin që ta drejtojë gishtin nga nënat myslimane, me përbuzjen se ato janë pa shkollë. Fjala e urtë thotë se: Dora që përkund djepin, edukon edhe kombin. Ne me këtë hap, investojmë në edukimin e nënave që do ta edukojnë kombin tonë. Vëllezër (motra) të nderuar, më lejoni që këtë fjalim ta përmbylli me thënien e profetit Muhamed a.s.: “Parajsa është nën këmbët e nënës”.
Pra Allahu Fuqiplotë e Bekoftë këtë tempull të diturisë, të arsimit Islam në vendin tonë dhe Allahu i Plotfuqishëm i bekoftë të gjitha ata që do të ndihmojnë në kompletimin e kësaj paraleleje. Edhe një herë pra, Qoftë i Bekuar ky Themel.


Marur nga: www.bim.org.mk


Nema komentara: